Description
Parathënie
Mundësitë psikologjike të njeriut, kapaciteti i tij shpirtëror, ndjesor apo intelektual janë të pakufishëm dhe shpeshherë nuk iu nënshtrohen ligjësive të logjikës, racionalitetit. Pikërisht këtu inkuadrohet libri i ri i Bilal Kolës, i cili është një veteksplorim dhe një përpjekje për të vetëpërmirësuar veten dhe si i tillë, konsiderohet si një nga trendet më të rëndësishme sot në botën e zhvilluar. Të lodhur nga vargonjtë e racionalizmit, procedurave, arsyes dhe teknikaliteteve, njerëzit po kërkojnë forma alternative të vetëpërmirësimit, të vetaktualizimit, të zhvillimit personal apo të zhvillimit të rolit të tyre, të vendit të tyre në shoqëri, komunitet apo në vetë ekzistencën.
Ky libër është një guidë shumë e mirë në vetaktualizim. Nga përvoja e jetës së vet, nga honet e persekutimit në fshatrat e Lushnjës deri tek studimet në universitetet e Londrës dhe karriera e shkëlqyer si avokat pas viteve 2000, Bilal Kola dëshmon një jetë të jashtëzakonshme jashtë normave, e cila është për t’u pasur zili. Kjo përvojë, e sintetizuar në këtë libër, bën të mundur që ai të ndajë me lexuesin shqiptar mënyrën se si njeriu mundet të mbijetojë, madje jo vetëm të mbijetojë, mund të zhvillohet në më të mirën e tij, t’ia dalë mbanë; madje jo vetëm t’ia dalë mbanë, por të ketë një sukses të spikatur në shoqëri.
Henri Çili